Bujtina

BUJTINA  
 "Oxhaku i Doçit"

Ejani në Bujtina “Oxhaku i Doçit” në Lurë, ku toka takohet me qiellin dhe bukuria e natyrës është në unision me bukurinë e shpirtit njerëzor.

Këtë oaz qetësie e harmonie, bukurie e fisnikërie, nuk e keni hasur askund, në udhëtimet tuaja, në kërkimet tuaja drejt viseve mrekullore.

Ejani dhe shijoni një gastronomi të harruar, që mendonit se nuk ekzistonte, ose qe zhdukur diku në skuta të kohëve. Ejani në këtë bujtinë, ku mishi i një mijë e një luleve dhe një mijë e një lëndinave hidhet vetë në hell, nga dëshira për t’u pjekur, për t’iu vetëservirur mikut të largët.

Ejani në këtë bujtinë, ku peshku i ujit të ftohtë dhe valëve të rrëmbyera alpine,i gatuar në saç, nuk është një përrallë rurale, por një realitet, që ju mund ta prekni e shijoni. Ejani dhe shijoni verën mahnitëse dhe rakinë bio, të zier dy herë, që nuk e keni pirë as në ëndrrat tuaja.

Këtu miku ndihet mbret, vizitori shenjt dhe bujtësi princ i dëshirave të tij më fisnike.

Historiku i zones

Këtu, në këtë bujtinë, zë fill historia e kullës së Doçëve, një nga kullat simbol të Lurës dhe të shqiptarisë. Këtu, në këtë vend, ku është ngritur bujtina “Oxhaku i Doçit”, në kullën e burrave të fisëm u mblodh kuvendi lurian dhe nisi historia e largët e treqind duvakëve.

Dhanë e morën burrat e dheut lurian dhe i dhanë karar të sfidojnë pashain turk, të sfidojnë vetë perandorinë më të madhe të kohës. Kështu, në vend të treqind vajazave luriane për ushtarët e Pashait turk, u nisën treqind djem luftëtarë, të veshura si vajza dhe i treguan vendin otomanit.

Këtu më 1908, Kolë Bibë Doçi hapi shkollën e parë shqipe në Lurë,e cila u bë kulla e dijes luriane. Bibë Kolë Doçi i ri, në gjurmët e të parëve të tij, është kryeplaku i Lurës dhe tenton të promvojë vlerat e derës, fisit dhe botës luriane.

Do pasohej nga Zef Bibë Doçi si kryeplaku i dymbedhjetë pleqeve dhe,do cilesohej si "Midir" e Krahinar i Lures. Ishte viti 1914, kur Profeti i Madh i shqiptarizmës, Homeri shqiptar, At Gjergj Fishta erdhi mik në kullën e Doçëve dhe gjithë natën, në kullën trepodëshe, u shtrua sofra e bardhë, e muhabetit e benteve e fjaleve "nënë mutaf",ushtoi kënga e çiftelia për nder të mikut të shquar.

Apostulli unik, I mrekulluar nga çka pa dhe cka dëgjoi në këtë kullë buajre e qëndrestare tha, se kush nuk ka pa Lurën nuk ka pa shqiperinë dhe se në Lurë takova plakun filozof te pa shkollë (autodidkat), pashë harmonin fetare ku njeri vëlla qe katolikë e tjetri musliman.

Për dyzet vite, kanë dalë nga kjo derë mësues,mësuesi i parë në Lurë pas Çlirimit ishte Halit Gjon Doçi, veprën e të cilit do ta pasonte Dedë Doçi, mësues i përkushtuar dhe vizionar.

Bibë Ndue Doçi Dinastia e mësuesve dhe intelektualëve të derës së Doçëve vazhdon edhe sot dhe kjo bujtinë, kjo ftesë e hapur për mikpritje dhe dashuri njerëzore, është pjesë e kësaj historie, pjesë e kësaj sage.

Ejani në Bujtinën “Oxhaku i Doçit” në Lurë, ku natyra dehet në bukurinë e vet magjike dhe historia e burrave të dheut lurian flet me gjuhën e vazhdimësisë së brezave dhe të përjetësisë. Ejani te "Bujtina "Oxhaku i Doçit" dhe do humbni rrugen e kthimit!